CELJA E GARES PER SISTEMIN ELEKTRONIK TE MENAXHIMIT TE ANKESAVE  


KOMISIONI I PROKURIMIT PUBLIK



Tiranë, më 15.01.2021

 

Lënda: Njoftim

 

 

Komisioni i Prokurimit Publik, në kuadër të reformës së digjitalizimit të shërbimeve, njofton se është hapur gara për përzgjedhjen e fituesit për sistemin elektronik të menaxhimit të ankesave në Komisionin e Prokurimit Publik. Ky sistem, do t’ju shërbejë të gjithë operatorëve ekonomikë vendas dhe të huaj, autoriteteve kontraktore si edhe çdo subjekti të interesuar.

Me anë të këtij sistemi të ri të meanxhimit të ankesave, synohet të dorëzohen online përmes platformës unike qeveritare E-Albania, të gjithë ankesat drejtuar Komisionit të Prokurimit Publik. Ankesat, pagesa lidhur me tarifat, si edhe të gjithë shërbimet do të kryhen online përmes plaftormës qeveritare, proces i cili lehtëson aksesin duke kursyer kohë dhe mjete monetare për të gjithë operatorët ekonomikë. Gjithashtu, autoritetet kontraktore do të kenë mundësi të ndërveprojnë po përmes sistemit elektronik sa i përket ofrimit të informacionit. Ky sistem do të ofrojë gjithashtu thjeshtësim të proceseve të brendshme të punës së Komisionit, duke rritur ndjeshëm shpejtësinë në procesin e vendimarrjes. Sistemi do të shoqërohet me një website të ri, ku do të aplikohet një standard i ri i publikimit të veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik, nëpërmjet publikimit të të dhënave të veprimtarisë së tij bazuar në parimin open data.

Ekspertët më të mirë vendas dhe të huaj, kanë kontribuar për më shumë se 6 muaj, në drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për hartimin e termave të references lidhur me këtë sistem .

Sistemi i dorëzimit të ankesave on-line përbën reformën më të rëndësishme dhe thelbësore nga viti 2010 për institucionin e Komisionit të Prokurimit Publik, duke vendosur një standard të ri në drejtim të transparencës, shpejtësisë, deburokratizimit të shërbimeve si edhe përfundimit njëherazi të reformës së nisur që në vitin 2009 për zhvillimin e procedurave të prokurimit në rrugë elektronike për çdo fazë, përfshirë edhe atë të ankimit.